Mbledhja e qershorit e Këshillit Bashkiak Divjakë, u miratuan ndihmat sociale dhe buxheti afatmesëm

Këshilli Bashkiak i Divjakës u mblodh më 25 qershor dhe miratoi vendime për ndihma sociale dhe buxhetin e viteve 2026–2028

Këshilli Bashkiak i Divjakës zhvilloi mbledhjen e radhës për muajin qershor, sot më 25 qershor 2025, në orën 10:00, në Sallën e Mbledhjeve pranë Shtëpisë së Kulturës. Mbledhja u mbajt në katin e dytë dhe trajtoi disa projektvendime që lidhen me ndihmat sociale, planifikimin buxhetor dhe menaxhimin e emergjencave.

Sot u përfshi miratimi i rendit të ditës, procesverbali i mbledhjes së kaluar, si dhe një raport mbi zbatimin e vendimeve për muajin maj. Një ndër pikat më të rëndësishme ishte miratimi i ndihmës së menjëhershme për familjet në nevojë, veçanërisht për fëmijët me një prind ose me prindër të divorcuar.

Gjithashtu, u diskutua dhe miratua Programi Buxhetor Afatmesëm i Bashkisë për periudhën 2026–2028, dokument që përcaktonte prioritetet e zhvillimit dhe investimeve në nivel vendor, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Këshilli shqyrtoi edhe një rishpërndarje fondesh brenda buxhetit të vitit 2025, si dhe miratoi planin vendor për emergjencat civile, me synim rritjen e kapaciteteve të reagimit në raste fatkeqësish natyrore apo situatash të papritura.

U miratuan gjithashtu ndryshimet në vendimet e mëparshme të Këshillit lidhur me pagat e administratës së Bashkisë, njësive administrative dhe institucioneve në varësi, përmes ndryshimeve në VKB Nr. 70 dhe Nr. 71 të datës 24 dhjetor 2024.

Në përmbyllje të mbledhjes, u prezantua një relacion mbi monitorimin e zbatimit të buxhetit për periudhën janar–prill 2025. Pikat kyçe të rendit të ditës u shqyrtuan nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, ndërsa plani i emergjencave u analizua nga Komisioni i Bujqësisë dhe Emergjencave Civile.

Mbledhja u vlerësua si një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të mirëqeverisjes lokale, ku përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë ndoqën nga afër procesin vendimmarrës.

Ndaj Postimin: