Qeveria synon të adresojë numrin e lartë të të paraburgosurve në sistemin penitenciar përmes masave alternative, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës. Një nga këto masa është vendosja e mbikëqyrjes elektronike.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, konfirmoi gjatë një takimi të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste se mbikëqyrja elektronike nuk ka ekzistuar më parë në Shqipëri. Ai ka kërkuar nga Shërbimi i Provës të përgatisë një projekt të detajuar, përfshirë aspektin financiar, për zbatimin e kësaj mase me qëllim uljen e arrestit me burg dhe arrestit në shtëpi.
Sa i përket amnistisë penale, Lamallari deklaroi se rreth 15 mijë familje shqiptare pritet të përfitojnë prej saj dhe kërkoi mbështetjen e Kuvendit për ta kaluar nismën në komisionet parlamentare për shqyrtim dhe zbatim sa më të shpejtë.
Ministri theksoi se këto hapa janë pjesë e një qasjeje më të gjerë për rishikimin e politikës penale në vend. Ai bëri të ditur se po punohet për një rishikim të plotë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, në bashkëpunim me qeveritë e Italisë, Francës dhe Holandës, si dhe me ekspertë të Këshillit të Europës.
Sipas tij, rishikimi i kuadrit ligjor penal dhe procedural synon përmirësimin dhe qartësimin e dispozitave ekzistuese, në funksion të një politike penale që do të udhëheqë vendin drejt vitit 2030.
Lamallari njoftoi gjithashtu se më 12 shkurt është prezantuar masterplani i godinave të drejtësisë, i cili do të financohet nga buxheti i shtetit dhe konsiderohet si nisma më e madhe infrastrukturore për administratën e gjyqësorit. Në përgatitje është edhe një masterplan për burgjet, ku përveç burgut të grave në zonën e Ali Demit, po shqyrtohet përfshirja e institucioneve 302 dhe 313 për përmirësimin e kushteve.