Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi në Komisionin për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Ushqimin se mbi 800 projekte kanë aplikuar pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), në kuadër të paketës së investimeve me grant 50%.
Sipas tij, projektet janë pjesë e dy masave të para të mbështetjes, me një buxhet rreth 3 miliardë lekë. Ai bëri të ditur se aplikimet janë në proces rishikimi, me qëllim kalimin në fazën e mbështetjes së drejtpërdrejtë për investimet e paraqitura në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.
“Kemi mbi 800 projekte të aplikuara pranë AZHBR-së, me një buxhet afërsisht 3 miliardë lekë. Disa projekte po vazhdojnë të rishikohen, në mënyrë që të kalojmë në mbështetjen e drejtpërdrejtë të të gjitha këtyre aplikimeve”, u shpreh Salla.
Ministri njoftoi se lista e përfituesve do të shpallet shumë shpejt. Ai sqaroi se edhe aplikantët që nuk do të përfitojnë në këtë fazë do të kenë mundësi të përfshihen në skemën e re kombëtare që po përgatitet.
Sipas Sallës, masat e reja të mbështetjes do të prezantohen pas përfundimit të konsultimeve me fermerët në të gjithë territorin e vendit, ndërsa një rezultat përfundimtar për skemën e re pritet javën e ardhshme.