Mbi 54 mijë euro të sekuestruara, 67-vjeçari në Berat përfundon në pranga për pastrim parash

Një 67-vjeçar është arrestuar në Berat nën dyshimin për pastrim të produkteve të veprës penale, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme.

Operacioni, i koduar “Produkti”, u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Në flagrancë u arrestua shtetasi K. K., 67 vjeç, banues në Berat. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe një automjet dhe një aparat celular.

Sipas policisë, shumat monetare dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033