Mbi 20 vjedhje në dy muaj në Fier, 6 raste me mashtrim

Numri i vjedhjeve në qytetin e Fierit ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë dy muajve të fundit, me mbi 20 raste të regjistruara nga Policia, ndër të cilat 6 janë klasifikuar si vjedhje me mashtrim.

Sipas të dhënave zyrtare, objekt i këtyre veprave penale kanë qenë kryesisht farmaci dhe biznese të ndryshme në qytet. Rastet janë dokumentuar nga Policia e Fierit dhe përfshijnë autorë të grupmoshave të ndryshme.

Avokati Ervis Goxhaj thekson se faktorët kryesorë që i shtyjnë individët drejt kryerjes së veprës penale të vjedhjes lidhen me kushtet e vështira ekonomike dhe papunësinë.

“Shumica e personave që kryejnë veprën penale të vjedhjes, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal, kanë probleme ekonomike dhe janë të papunë. Një pjesë e tyre janë përdorues të lëndëve narkotike dhe për shkak të varësisë shtyhen të kryejnë këto vepra për të siguruar të ardhura. Në rastet kur përdoret dhunë apo sende të forta, ligji parashikon dënime më të rënda”, u shpreh Goxhaj.

Ndërkohë, 6 raste janë evidentuar si vjedhje me mashtrim, ku autorët dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash duke premtuar kryerjen e veprimeve juridike që nuk janë realizuar.

Autoritetet vlerësojnë se disa prej autorëve mund të kenë qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e kryerjes së vjedhjeve, një element që rrit rrezikun për përdorim dhune dhe përbën kërcënim për sigurinë e qytetarëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033