Mbahet në OKB seanca për UMNIK-un, të pranishëm përfaqësues nga Kosova dhe Serbia.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KSOKB) do të mbajë sot një seancë për të diskutuar raportin e fundit gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, mbi aktivitetet e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Seanca pritet të nisë në orën 16:00.

Në raportin e tij, i publikuar ditë më parë në disa media, Guterres thekson se situata në Kosovë mbetet ende e tensionuar, duke vënë në pah nevojën për kujdes për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Raporti, që mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2024, do të prezantohet nga kryetarja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh. Në të, Guterres u bën thirrje të dyja palëve që të konfirmojnë angazhimin e tyre për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura.

Prej miratimit të Rezolutës 1244 të KSOKB-së më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit ka mbajtur katër seanca vjetore për Kosovën deri në vitin 2018. Nga viti 2019, seancat janë reduktuar në tri, ndërsa që nga viti 2020 mbahen dy herë në vit – në prill dhe tetor.

Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila tashmë është nisur për në New York. Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se, gjatë fjalës së saj, Ministrja Gërvalla do të paraqesë përparimet e Kosovës në fusha si demokratizimi, zhvillimi ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe gjendjen aktuale në komunat veriore të vendit. Ajo gjithashtu pritet të diskutojë për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe sfidat që këto veprime përbëjnë për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Nga ana tjetër, Serbia do të përfaqësohet nga homologu i saj, Marko Gjuriç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera