Matura Shtetërore 2026, aplikimet për lëndët me zgjedhje hapen më 2 shkurt

Ministria e Arsimit ka njoftuar zyrtarisht hapjen e periudhës së aplikimeve për maturantët që do të marrin pjesë në Maturën Shtetërore 2026. Sipas njoftimit, aplikimi për përcaktimin e lëndëve me zgjedhje do të nisë më 2 shkurt, përmes plotësimit të formularëve përkatës.

Procesi i aplikimit është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe përfshin formularët A1 dhe A1Z, të cilët do të përdoren si për Maturën Shtetërore, ashtu edhe për Maturën Shtetërore Profesionale 2026. Gjatë kësaj periudhe, nxënësit do të duhet të përcaktojnë edhe lëndën me zgjedhje që do të zhvillojnë në provimet përfundimtare.

Për maturantët e viteve të kaluara që dëshirojnë të marrin pjesë në Maturën Shtetërore 2026, shërbimi për plotësimin e formularit A1Z do të jetë i hapur më 10 dhe 11 shkurt. Autoritetet arsimore u bëjnë thirrje kandidatëve të respektojnë me vëmendje afatet dhe udhëzimet e publikuara.

Ndërkohë, janë bërë publike edhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore. Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet më 2 qershor, ai i gjuhës shqipe më 9 qershor, provimi i matematikës më 16 qershor, ndërsa provimi i lëndës me zgjedhje do të mbahet më 23 qershor.

Në funksion të përgatitjes së maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë në të gjitha institucionet arsimore, me qëllim orientimin e nxënësve mbi formatin, strukturën dhe kërkesat e provimeve, për t’i ndihmuar ata të jenë sa më të përgatitur për këtë proces të rëndësishëm.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033