Nga: MUKADES DERVISHI
Ditën e sotme, materialet zgjedhore kanë mbërritur në KZAZ 55 dhe 56 të Lushnjes dhe KZAZ 57 të Divjakës, ndërsa siguria dhe monitorimi i proceseve zgjedhore do të jenë të pranishëm 24 orë.
Mesditën e sotme, mjetet e transportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë sjellë materialet zgjedhore në KZAZ 55 dhe 56 të Lushnjes, si dhe në KZAZ 57 të Divjakës. Këto materiale përfshijnë kutitë e votimit dhe përmbajtjen e kutive për qëndrat e votimit që do të administrohen nga komisionet zonale të administratës zgjedhore.
Në selinë e KZAZ 56, që ndodhet pranë muzeut historik, kanë mbërritur materialet zgjedhore të 65 qëndrave të votimit, që përfshijnë qytetin e Lushnjes. Ndërsa në KZAZ 55, në palestrën e shkollës “Skënder Libohova”, janë mbërritur 92 kutitë e votimit për qëndrat e votimit të ish-komunave, të cilat tani janë njësitë administrative përkatëse. Po ashtu, në KZAZ 57 në Divjakë, në ambientet e qendrës kulturore, janë mbërritur 67 kuti të votimit për qëndrat e votimit të administruara nga ky komision.
Të gjitha materialet zgjedhore janë marrë nën administrim nga komisionet zonale, të cilat kanë filluar verifikimin dhe kontrollin e këtyre materialeve për të siguruar që çdo proces të zhvillohet sipas standardeve të kërkuara.
Për ditën e enjte, pritet të mbërrijnë edhe pajisjet e identifikimit PEI, që janë të nevojshme për zhvillimin e një procesi të sigurt dhe të shpejtë të zgjedhjeve.
Për të siguruar një zhvillim të qetë dhe pa probleme të procesit zgjedhor, organet e rendit kanë qenë të pranishme dhe do të qëndrojnë 24 orë nën monitorimin e tyre të të gjitha KZAZ-ve. Ky nivel sigurie do të sigurojë që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.