Protesta kombëtare e Partisë Demokratike u shoqërua me tone të ashpra politike, ku nënkryetari Agron Gjekmarkaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka zgjedhur të mbrojë zëvendësen e tij, Belinda Balluku, duke sakrifikuar drejtësinë dhe institucionet.
Nga podiumi i protestës, Gjekmarkaj deklaroi se Rama është i gatshëm të shkatërrojë çdo kufi institucional për të ruajtur pushtetin, duke e kthyer drejtësinë dhe parlamentin në instrumente të një shumice që, sipas tij, abuzon me forcën e votës.
Ai përdori një gjuhë simbolike, duke e përshkruar sistemin e ndërtuar nga kryeministri si një “labirint” ku shoqëria endet pa rrugëdalje, ndërsa pushteti kërkon bindje, heshtje dhe mosreagim.
Sipas Gjekmarkajt, mbrojtja e Ballukut është në fakt mbrojtje e vetë Ramës dhe e një modeli qeverisjeje që po shkel Kushtetutën dhe po zhduk çdo nuancë të drejtësisë së pavarur.
“Në momentin që drejtësia nënshtrohet, demokracia nis të vdesë”, tha ai, duke e cilësuar protestën si reagim ndaj një pushteti që, sipas opozitës, ka kaluar çdo kufi.