Mashtronte furnitorët për produkte dentare, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë; përfitoi rreth 12 mijë euro

Një 27-vjeçar është arrestuar në Tiranë nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se ka blerë produkte dentare duke mashtruar furnitorët, duke u prezantuar si përfaqësues i një kompanie në këtë sektor. Nga kjo veprimtari e paligjshme, ai dyshohet se ka përfituar rreth 12 mijë euro.

Sipas policisë, i arrestuari, shtetasi me iniciale K. Sh., kishte qenë më parë i punësuar në një kompani dentare, por pa qenë më i autorizuar prej saj, vijonte të blinte dhe të shiste produkte në emër të këtij subjekti. Produktet e siguruara përmes mashtrimit më pas shiteshin në klinika dentare.

Arrestimi i 27-vjeçarit u bë në kuadër të operacionit të koduar “Reputacioni”, i finalizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas kallëzimit të përfaqësuesve të kompanisë së dëmtuar.

Nga hetimet paraprake rezulton se përfitimi i dokumentuar deri tani nga kjo veprimtari e kundërligjshme arrin në rreth 12 000 euro, ndërsa verifikimet për raste të tjera të mundshme vijojnë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Ndaj Postimin: