Prokuroria e Fierit ka goditur një tjetër rast të dyshuar mashtrimi financiar përmes një aktiviteti “Call Center”, duke sekuestruar pasuri të konsiderueshme të një shtetasi nën hetim.
Sipas hetimeve paraprake, në llogaritë bankare të personit të dyshuar janë depozituar shuma të mëdha parash, të cilat nuk justifikojnë burim të ligjshëm. Dyshohet se këto para janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme në qytetin e Fierit.
Nga hetimet mbi procedimin penal të regjistruar ndaj shtetasit E.Sh., rezulton se ai ushtronte aktivitet “Call Center” në Fier dhe dyshohet se përmes këtij aktiviteti është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Gjatë verifikimeve, u dokumentua depozitimi i vlerave të konsiderueshme monetare në formë cash në llogaritë bankare, të cilat nuk justifikojnë burimin e tyre. Më pas, këto shuma dyshohet se janë përdorur për investime në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat aktualisht janë në proces verifikimi nga organet hetimore.
Sipas prokurorisë, përmes veprimeve juridike është tentuar transferimi i këtyre pasurive me qëllim fshehjen e origjinës së tyre të paligjshme, çka përmban elementë të veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të këtij procedimi penal, ndaj personit nën hetim janë caktuar masa sigurimi personal me karakter shtrëngues.
Njëkohësisht, me vendim të gjykatës dhe me kërkesë të prokurorisë, është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi dy pasuri në qytetin e Fierit:
– një njësi biznesi me sipërfaqe 230 m²
– një apartament me sipërfaqe 100 m².
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të verifikuar origjinën e plotë të pasurive dhe për të zbardhur të gjithë aktivitetin e dyshuar kriminal.