Një sulm i përgjakshëm me armë zjarri ka tronditur Suedinë, ku të paktën 10 persona kanë humbur jetën në një shkollë në qytetin Orebro.
Kryeministri Ulf Kristersson e ka cilësuar këtë ngjarje si “sulmin masiv më të keq që ka përjetuar ndonjëherë vendi”.
Gjatë një konference shtypi, Kristersson shprehu tronditjen dhe dhimbjen për tragjedinë. “Sot, ne kemi qenë dëshmitarë të dhunës brutale dhe vdekjeprurëse ndaj njerëzve krejtësisht të pafajshëm. Kjo është një ditë e errët për Suedinë,” tha ai, duke theksuar se vendi duhet të qëndrojë i bashkuar përballë kësaj fatkeqësie.
Të shtënat ndodhën në shkollën Campus Risbergska në Orebro, rreth 200 kilometra në perëndim të Stokholmit. Autoritetet suedeze konfirmuan se agresori dyshohet të jetë mes viktimave dhe nuk ka rrezik të mëtejshëm për publikun. Sulmi ndodhi rreth orës 12:33 të mesditës, duke shkaktuar panik dhe frikë në të gjithë zonën.
Shkolla në fjalë frekuentohet nga nxënës që nuk kanë përfunduar arsimin fillor apo të mesëm. Pas ngjarjes, institucionet arsimore në afërsi u mbyllën si masë sigurie, ndërsa forcat e emergjencës dhe policia mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Hetimet janë në vijim dhe autoritetet po përpiqen të zbardhin motivet e këtij sulmi tragjik. Ndërkohë, qytetarët suedezë kanë nisur të vendosin lule dhe qirinj pranë shkollës, në shenjë solidariteti me familjet e viktimave.
Në një mesazh drejtuar kombit, Kryeministri Kristersson theksoi nevojën për drejtësi dhe reflektim mbi sigurinë publike. “Është e vështirë të kuptosh përmasat e asaj që ndodhi sot. Ajo që thjesht nuk mund të ndodhë, ka ndodhur,” tha ai, duke premtuar masa të forta për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe jashtë Suedisë, me liderë botërorë që kanë shprehur ngushëllime dhe mbështetje për vendin skandinav në këtë moment të vështirë.