Masakra e Shkodrës trondit qytetin, zbardhet dinamika e plotë e ngjarjes

Dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën nga një sulm me armë në një lokal në Shkodër, autori u arrestua pas një ndjekjeje të tensionuar.

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e sotëm Shkodrën, ku një sulm me armë zjarri la pas dy të vdekur dhe dy të plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50 në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali.

Sipas burimeve zyrtare, i dyshuari Ragip Gila hapi zjarr ndaj një grupi personash. Nga të shtënat u plagos 43-vjeçari Erogen Vaso Bajroviç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, dhe një 25-vjeçare me inicialet M.K., e cila mori lëndime të lehta.

Përveç të plagosurve, në vendngjarje humbi jetën menjëherë Armando Pali, ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ndërroi jetë Lirodon Kraja, 31 vjeç, truproja i Bajroviçit. Autoritetet konfirmojnë se sulmi u krye me paramendim dhe me përdorimin e një arme automatike.

Pas krimit, Gila tentoi të largohej me një motor, por më pas braktisi mjetin dhe u fut në një automjet tip BMW për t’u larguar nga qyteti. Në dalje të Shkodrës, pranë urës së trenit, ai u përfshi në një aksident rrugor.

Motorri i përdorur nga autori

Pas aksidentit, autori tentoi të fshihej në zonën e lumit Kir, duke u larguar në këmbë. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë “Shqiponja” u vunë menjëherë në ndjekje dhe arritën ta neutralizonin pas disa minutash tensioni.

Gjatë arrestimit, policia sekuestroi armën e krimit, një pushkë automatike, e cila pritet të dërgohet për ekspertizë balistike. Gjithashtu, u sekuestruan edhe mjetet e përdorura në tentativën për arratisje.

Policia e Shkodrës dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes. Burime nga hetimi thonë se pista kryesore lidhet me konflikte të mëparshme mes palëve të përfshira.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ku banorët shprehen të shqetësuar për rritjen e rasteve të dhunës me armë në qytet. Ata kërkojnë masa më të rrepta sigurie dhe një prani më të madhe policore në zonat problematike.

Autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të imta dhe aksione të vazhdueshme për të parandaluar ngjarje të ngjashme. Ndërkohë, të plagosurit po marrin trajtim mjekësor, ndërsa familjet e viktimave presin zbardhjen e ngjarjes.

Ndaj Postimin: