Një projekt ambicioz energjetik, me vlerë 1 miliard euro, do të lidhë Shqipërinë, Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky partneritet, që do të përfshijë tre shtete dhe dy kompani të mëdha ndërkombëtare, parashikon ndërtimin e një infrastrukture të avancuar që do të prodhojë dhe transferojë energji të rinovueshme nëpërmjet një linje nënujore mes dy brigjeve të Adriatikut. Ky projekt i rëndësishëm energjetik është pjesë e iniciativave më të mëdha të zhvillimit të energjisë së gjelbër në rajon dhe pritet të afrojë Lindjen e Mesme në një kohë kur Ballkani do të integrohet me BE. Kjo është edhe prapaskena politike e investimit që askush mos të humbasë, por të gjithë të kenë akses aty ku edhe ballkanasit duan të kenë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, e shpallën këtë marrëveshje gjatë Samitit Botëror të Energjisë së të Ardhmes në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tyre, plani do të nisë të funksionojë plotësisht deri në vitin 2028, me qëllimin e prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme si dielli dhe era, për t’u transferuar më pas në Itali. Shqipëria, e cila ka përmendur shpesh mundësitë e saj të mëdha në energjinë e rinovueshme, do të përfitojë nga ky projekt, duke e përmirësuar infrastrukturën dhe kapacitetet e saj në këtë sektor.
Një nga karakteristikat e këtij projekti është bashkëpunimi ndërmjet kompanive të mëdha si “Taqa”, një kompani e Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe operatorëve të rrjetit italian, si “Terna”. Ky partneritet do të sjellë një përfitim të trefishtë, duke përdorur përvojën e Emirateve në prodhimin e energjisë të rinovueshme, pasurinë e burimeve natyrore të Shqipërisë dhe tregun e zhvilluar të energjisë në Itali.
Marrëveshja ka një rëndësi të veçantë në diplomacinë mjedisore, pasi është hera e parë që Emiratet e Bashkuara Arabe pranojnë të përmendin lëndët djegëse fosile si shkak të ndryshimeve klimatike dhe të bëjnë thirrje për një braktisje të ngadalshme të tyre. Sulltan al-Jaber, Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Emirateve, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje dhe ndikimin e saj në arritjen e objektivave të Emirateve për energjinë e rinovueshme deri në vitin 2050.
Ky projekt ka gjithashtu një dimension simbolik për marrëdhëniet mes dy kryeministrave, Meloni dhe Rama. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Rama i ka dhuruar Melonit një shall të bërë në Shqipëri, një gjest që shpreh miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy liderëve, si dhe mundësitë e mëdha të zhvillimit të energjisë së rinovueshme në rajon.
Infrastruktura e re, që do të lidhë portin e Vlorës në Shqipëri me bregdetin e Pulias në Itali, do të mundësojë forcimin e lidhjeve ekzistuese energjetike, të cilat shtrihen për 430 kilometra përgjatë Adriatikut. Ky zhvillim është pjesë e një plani të gjerë të Melonit për ta bërë Italinë një qendër të rëndësishme shpërndarjeje të energjisë mes dy brigjeve të Adriatikut.
Projekti ka gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në rritjen e prodhimit të energjisë të rinovueshme në Shqipëri. Kjo mund të kontribuojë në rritjen e kapacitetit të vendit për energjinë solare, erën dhe energjinë hibride me ruajtje të energjisë në bateri, të cilat do të eksportohen përmes lidhjes ndërkufitare midis Shqipërisë dhe Italisë.
Marrëveshja që u nënshkrua ka një vlerë prej 1 miliard eurosh dhe pritet të përfundojë në 3 vitet e ardhshme. Kjo do të kontribuonte në rritjen e infrastrukturës energjetike dhe do të ofronte mundësi të reja për sektorët privatë të të tre vendeve, si dhe do të forconte lidhjet politike dhe ekonomike mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në një kohë kur diskutimet për ndryshimet klimatike janë më të rëndësishme se kurrë, ky projekt shënon një hap përpara në përpjekjet për të zhvilluar burime energjie të pastra dhe për të reduktuar varësinë nga lëndët djegëse fosile. Të tre shtetet po bashkëpunojnë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe për një zhvillim më të drejtë energjetik për rajonin dhe botën.