Marjeta Zaimi është gruaja e parë në Shqipëri që ka ngritur artin figurativ në qeramikë të ngrohtë dhe të ftohtë në një nivel profesionist, duke e kthyer këtë mjeshtëri në identitet të sajin dhe një trashëgimi për brezat e ardhshëm.
Prej më shumë se gjashtë vitesh, Marjeta Zaimi është angazhuar me përkushtim në krijimin e figurave moderne përmes qeramikës, një formë arti që kërkon durim, teknikë dhe ndjeshmëri të veçantë. Ajo është e para grua në vend që është specializuar në këtë disiplinë unike dhe jeton aktualisht në qytetin e Lushnjës.
Zaimi e ka përvetësuar këtë mjeshtëri gjatë studimeve të saj në Itali, ku jo vetëm ka zhvilluar talentin, por është edhe certifikuar për artin figurativ dhe krijues në baltë dhe qeramikë. Ajo është njohur zyrtarisht me titullin “Artistja më e mirë e punës me figurat në baltë dhe qeramikë”, një vlerësim që e ka marrë si në Itali, ashtu edhe në Francë.
Përtej arritjeve personale, Marjeta është angazhuar publikisht për krijimin e një institucioni shtetëror që të promovojë vlerat e këtij arti dhe të tërheqë të rinjtë drejt këtij profesioni të rrallë. Sipas saj, kjo është mënyra më e mirë për të ruajtur dhe përcjellë trashëgiminë artistike ndër breza.
Gjatë vitit 2019, ajo ka marrë pjesë në disa konkurse jashtë vendit, duke e kthyer atë vit në një pikë kthese në karrierën e saj. Në disa vende të Bashkimit Evropian, punimet e saj janë ekspozuar dhe vlerësuar si modele të një arti të rrallë që rrënjoset në traditë, por përqafohet nga moderniteti.
Shoqata e Artistëve dhe Poetëve – dega Lushnje, nën kujdesin e kryetares Emine Borici, e ka certifikuar zyrtarisht Zaimin për kontributin e saj në artin figurativ brenda dhe jashtë vendit. Ky vlerësim e bën atë një figurë të spikatur në fushën e artit në Shqipëri.
Në një intervistë të realizuar nga gazetari Ndriçim Gjoshi për mikrofonin e TV Apollon, Marjeta ndau historinë e jetës dhe përpjekjeve të saj për t’u afirmuar si një artiste grua në një fushë të dominuar prej kohësh nga burrat. Mes rreshtave të intervistës, ajo u shpreh se arti i saj është jo vetëm një formë shprehjeje, por edhe një mision për të çuar përpara një profesion me vlera të thella kulturore.