Marcelo i thotë lamtumirë futbollit pas një karriere të paharrueshme

Pas një karriere të shkëlqyer dhe të mbushur me suksese, legjenda e Real Madrid, Marcelo, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli profesionist.

Mbrojtësi i krahut, i cili ka lënë një gjurmë të thellë në historinë e futbollit, ka njoftuar se do të varë këpucët në gozhdë pas 20 vitesh, duke përmbyllur një periudhë të shquar në karrierën e tij.

Marcelo ka nisur dhe përfunduar karrierën e tij në Fluminense, ku gjithçka filloi në vitin 2005. Pas disa viteve të suksesshme në futbollin europian, ai ka vendosur të kthehet në vendlindjen e tij, duke mbyllur ciklin e tij me të njëjtën skuadër ku pati filluar gjithçka.

I njohur për stilin e tij të veçantë në fushë, Marcelo është bërë një nga mbrojtësit më të mëdhenj në histori të futbollit. Me fanellën e Real Madridit, ai ka arritur kulmin e karrierës, duke fituar pesë tituj të Ligës së Kampionëve dhe duke kontribuar në shumë fitore të tjera me klubin më të madh në Spanjë. Pjesë e ekipit për 16 sezone, ai ka qenë një nga kapitenët e skuadrës, duke udhëhequr me shembull dhe duke sjellë disa netë magjike për tifozët e Bernabeut.

Në një video lamtumire të publikuar në rrjetet sociale, Marcelo ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për klubin dhe tifozët. “Dashuria ime për futbollin vjen nga gjyshi im. Ai gjithmonë donte që unë të bëhesha futbollist profesionist, dhe unë bëra gjithçka që munda për ta arritur këtë. Kur isha 18 vjeç, Real Madridi më trokiti në derë dhe u zhvendosa për të filluar një aventurë të pabesueshme”, ka thënë ai.

Në këtë video lamtumire, Marcelo ka falënderuar gjithashtu tifozët për mbështetje të pafundme gjatë gjithë karrierës së tij, duke e cilësuar Real Madridin si një “klub ndryshe”. Ai ka përshëndetur me emocion të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim të gjatë, duke e cilësuar klubin spanjoll si një pjesë të jetës së tij.

Në fund të videos, Marcelo ka bërë një dedikim të veçantë për djalin e tij, Enzo Alves, duke i kaluar stafetën atij, një talent të ri i cili vetëm në moshën 15-vjeçare është i pranuar në akademinë e Real Madridit. Kjo është një trashëgimi që Marcelo do të lërë pas, duke treguar se familja dhe pasioni për futbollin janë ato që e kanë udhëhequr gjatë gjithë karrierës së tij.

Përfundimi i karrierës së Marcelos është një moment reflektimi për futbollin ndërkombëtar dhe për tifozët e Real Madrid, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë këtë legjendë si një simbol të sukseseve të klubit dhe pasionit të tij të pandalshëm për lojën.

Ndaj Postimin: