Maratona “Kalorësi i Babunjës” zhvillohet në Divjakë!

Bashkia Divjakë, në bashkëpunim me Ecotor Albania dhe Zyrën Arsimore, organizoi këtë të hënë maratonën “Kalorësi i Babunjës Divjakë 2025”. Ky aktivitet promovues kishte për qëllim nxitjen e sportit, dashurinë për natyrën dhe ruajtjen e traditave, duke iu dedikuar kryesisht të rinjve.

Maratona përfshiu një itinerar prej 11 kilometrash në brendësi të pyllit të Divjakës dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e nxënësve të qytetit, si dhe të disa turistëve francezë që iu bashkuan kësaj nisme sportive. Atmosfera festive dhe energjia e të rinjve e shndërruan këtë ditë në një festë të vërtetë të sportit dhe jetës aktive.

Nën kujdesin e posaçëm të kryebashkiakut Josif Gorrea, aktiviteti u zhvillua me simbolikën “Kalorësja e Arnisës”, si një ndërthurje e dashurisë për sportin, natyrën dhe trashëgiminë kulturore të zonës.

Drejtori i Zyrës Arsimore, z. Josif Kruti, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe u shpreh për TV Apollon se kjo nismë do të kthehet në një traditë të përvitshme në Divjakë. Ai theksoi se data 20 tetor tashmë do të shënohet si një ditë e veçantë sportive për gjithë komunitetin e adhuruesve të vrapit dhe aktivitetit fizik.

Në përfundim të maratonës, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, duke shpërndarë vlerësime simbolike për të gjitha grupmoshat, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin dhe frymën sportive.

Atmosfera festive u mbyll me duartrokitje dhe buzëqeshje nga nxënës, qytetarë dhe vizitorë, të cilët përjetuan një ditë ndryshe në zemër të natyrës së Divjakës.

Drejtuesi i guidës së grupit francez, Enea Bardhi, në një prononcim për mediat, u shpreh se kjo maratonë ishte një shembull i shkëlqyer bashkëpunimi dhe promovimi të turizmit aktiv. Ai shtoi se ky aktivitet është vetëm një nga ndalesat në itinerarin e tyre, ndërsa synimi është që maratona të vijojë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, duke bashkuar natyrën, sportin dhe kulturën në një përvojë unike.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: