Mandati i Zaçajt, Avokati Kara: Ligji është i qartë, Berisha pas krahëve të përplasjes

Avokati Romeo Kara ka komentuar zhvillimet lidhur me mandatin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, duke theksuar se ligji e përcakton qartë se ky mandat përfundon më 10 mars 2025 dhe jo në fund të vitit 2025, siç Zaçaj kishte pretenduar më herët.

Në një intervistë për Report TV, Kara shpjegoi se çdo përpjekje për të zgjatur këtë mandat është në kundërshtim me rregullat ligjore.

Duke u ndalur te përfshirja politike në këtë çështje, Kara vuri në dukje sulmet e hapura të Sali Berishës ndaj Gjykatës së Lartë dhe kryetarit të saj, Sokol Sadushi. Sipas avokatit, Berisha jo vetëm që ka mbrojtur Zaçajn, por ka përdorur këtë situatë për të ushtruar presion politik dhe për të ndikuar mbi proceset ligjore.

“Është absurde që vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese kërkon një interpretim nga Komisioni i Venecias për një çështje ku ligji është krejtësisht i qartë. Nuk ka hapësirë për ambiguitet në këtë rast,” tha Kara. Ai shtoi se ndërhyrjet e Berishës janë të papërshtatshme dhe të motivuara politikisht, duke përfshirë edhe denigrimin publik të Sadushit dhe ndërhyrjet në procedurat e vakancës.

Sipas Karës, mbrojtja e Zaçajt nga Berisha dhe aleatët e tij politikë tregon për një lidhje të mundshme mes tyre. “Mund të jetë e nxitur ose e suportuar nga kjo pjesë e politikës shqiptare. Megjithatë, është pozitive që Zaçaj ka reflektuar dhe është tërhequr nga qëndrimi i saj fillestar,” shtoi ai.

Avokati kritikoi gjithashtu Berishën për rolin e tij të vazhdueshëm në ndërhyrjet politike dhe juridike. “Berisha, pavarësisht se ka përreth ‘ekspertë’ të dyshimtë juridikë, vazhdon të japë opinione për çështje që i tejkalojnë kompetencat e tij. Kjo ndërhyrje nuk ndihmon aspak procesin e pavarur ligjor në vend,” përfundoi Kara.

Kjo çështje ka sjellë në vëmendje tensionet mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, duke nxitur debate mbi respektimin e parimeve kushtetuese dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera