Makinat e 10 viteve të fundit me rregulla të reja në zhdoganim, kilometrazhi hyn në vlerësim.

Rregulla të reja për vlerësimin e automjeteve gjatë zhdoganimit. Administrata Doganore Shqiptare ka publikuar më 18 shtator 2026 manualin e ri, që sjell ndryshime në mënyrën e përcaktimit të vlerës doganore për makinat e përdorura të prodhuara gjatë 10 viteve të fundit.

Ndryshimi kryesor lidhet me përfshirjen e kilometrave të përshkuara nga automjeti deri në momentin e zhdoganimit.

Pra, përveç markës, vitit të prodhimit, cilindratës dhe llojit të karburantit, në vlerësim do të merret parasysh edhe kilometrazhi.

Kjo do të thotë se dy automjete me të njëjtat karakteristika teknike mund të kenë vlera të ndryshme doganore, në varësi të kilometrave që kanë përshkuar.

Por përdorimi i çmimeve të publikuara online nuk është metoda e parë e vlerësimit.

Sipas manualit, kur nuk mund të përdoret metoda e transaksionit dhe nuk plotësohen kushtet për metodat e tjera të përcaktuara në Kodin Doganor, vlerësimi bëhet sipas rendit të përcaktuar, nga metoda 1 deri në metodën 5.

Vetëm në rastet kur këto metoda nuk mund të zbatohen, Administrata Doganore mund t’u referohet çmimeve reale të publikuara online, në burime dhe buletine të specializuara të përcaktuara në manual.

Rregullat e reja zbatohen për automjetet e prodhuara brenda 10 viteve të fundit.

Ndërkohë, për makinat më të vjetra se 10 vjet, Administrata Doganore sqaron se nuk ndryshon mënyra e vlerësimit.

Në praktikë, ndryshimi synon që, kur metodat e tjera nuk mund të përdoren, vlera doganore të përshtatet sa më shumë me karakteristikat dhe gjendjen reale të automjetit në momentin e importit.

Kështu, marka, viti, cilindrata, karburanti dhe tashmë edhe kilometrazhi bëhen elemente të rëndësishme në përcaktimin e vlerës së makinave të përdorura gjatë zhdoganimit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033