Qyteti i Lushnjës mirëpriti dhjetëra automjete historike nga Shqipëria dhe Italia, në një aktivitet që bashkon pasionin për makinat klasike dhe trashëgiminë motorike
Sheshi kryesor i Lushnjës u kthye pasditen e sotme në një arenë unike për adhuruesit e makinave klasike. Nën titullin simbolik Retro n’Myzeqe, ekspozita solli për publikun dhjetëra mjete historike, përfshirë makina të epokës dhe motorrë “Vespa”, të sjella nga koleksionistë vendas dhe nga Italia.
Aktiviteti u organizua nga shoqata “Retro Albania” me mbështetjen e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Fier, duke sjellë për herë të parë në këtë zonë një ekspozitë të këtij niveli. Pasioni për automjetet e vjetra u shfaq përmes modeleve të ruajtura me përpikmëri dhe stil, që rrëfenin histori nga dekada të ndryshme, raporton gazetarja Mukades Dervishi.
Të pranishëm në event ishin koleksionistë shqiptarë si Agron Çela dhe motorristi i njohur Vitor Kola, të cilët ndanë me publikun emocionet dhe përkushtimin ndaj këtij pasioni. Ata theksuan rëndësinë e ruajtjes së identitetit mekanik dhe nostalgjisë që sjellin këto mjete të rralla.
Ekspozita u pasurua edhe me pjesëmarrjen e shoqatës italiane Vespaamici, e përbërë nga dhjetëra anëtarë që udhëtuan drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në këtë ngjarje kulturore. Përfaqësuesit italianë, përfshirë presidentin Marino Granieri dhe zv/presidentin Giorgio Terranova, u shprehën të entuziazmuar për mikpritjen dhe kulturën vendase.
Pas qëndrimit në Lushnjë, karvani i makinave retro u zhvendos drejt bregdetit të Divjakës, duke e shtrirë aktivitetin në të gjithë zonën e Myzeqesë. Ky itinerar solli edhe më shumë gjallëri në turizmin lokal dhe krijoi mundësi për ndërveprim mes koleksionistëve dhe vizitorëve të huaj.
Ngjarja shërbeu jo vetëm si një festë për nostalgjikët e mekanikës klasike, por edhe si një hap i rëndësishëm në promovimin e kulturës motorike dhe trashëgimisë historike në Shqipëri. Retro n’Myzeqe pritet të kthehet në një traditë vjetore që do të sjellë gjithnjë e më shumë entuziastë në zemër të Myzeqesë.