Dy persona kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti të ndodhur në rrugën nacionale Sarandë–Delvinë, në afërsi të fshatit Stjar.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Toyota”, që drejtohej nga shtetasi Fatmir Kuçi, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja, Kano Kuçi.
Të lënduarit janë transportuar me ambulancë në Urgjencën e Sarandës për ndihmë mjekësore. Sipas bluzave të bardha, ata kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave. Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i mjetit mund të ketë qenë në gjendje të dehur.