Majorka: Arrestohet një shqiptar i dënuar për vrasje, dyshohet për grabitje në serinë e Krishtlindjeve

Një shqiptar me histori të gjatë kriminale, Robert Linadi, 41 vjeç, është arrestuar nga policia spanjolle në Majorka, pasi dyshohet si pjesë e një grupi që ka kryer një seri grabitjesh në ishull.

Linadi, banues nga fshati Bajzë i Shkodrës, u kap së bashku me një shtetas bullgar dhe një maroken pas një operacioni të koduar “Orada/Swiper” nga Njësia e Sigurisë Qytetare të Gardës Civile.

Grupi kriminal akuzohet se ka kryer grabitje në disa zona të Majorkës, përfshirë Marratxí, Port d’Andratx, Palma, Calvià dhe Cala Rajada. Modusi i tyre operativ përfshinte hyrjen në shtëpi të banuara, heqjen e kasafortave nga muret dhe vjedhjen e objekteve me vlerë.

Operacioni policor u zhvillua në lokacione të ndryshme, përfshirë Génova dhe Cala Major, ku u arrestuan të dyshuarit dhe u sekuestruan prova të shumta. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën një kasafortë të vjedhur, 50 ora, bizhuteri, telefona celularë dhe rreth 3500 euro para në dorë.

Policia zbuloi se grupi kishte planifikuar të intensifikonte aktivitetet e tij gjatë periudhës së Krishtlindjeve, duke shfrytëzuar largimin e pronarëve nga shtëpitë për pushime festive.

Robert Linadi ka një histori të pasur kriminale, përfshirë një dënim për vrasjen e Xhevahir Demaj në një koncert në Londër në vitin 2004. Ai ishte arrestuar edhe për një rast pengmarrjeje në Londër një vit më parë, në 2003. Për këto krime, Linadi ka vuajtur 17 vjet burg dhe ka qenë objekt ndalimesh për hyrje në disa vende evropiane për shkak të përfshirjes në incidente të tjera kriminale.

Ky arrestim është një tjetër dëshmi e ndërveprimit ndërkombëtar mes forcave të rendit për të goditur grupet kriminale me aktivitet ndërkufitar. Garda Civile e Spanjës ka nënvizuar se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar lidhjet e tjera të mundshme të grupit dhe për të rikuperuar sende të tjera të vjedhura.

Autoritetet spanjolle kanë rritur masat e sigurisë gjatë periudhës festive, duke nxitur qytetarët të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë. Ndërkohë, arrestimi i Linadit shënon një goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar në Majorka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera