Në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Lushnjës u zhvillua ceremonia e përvitshme e vlerësimit të maturantëve ekselentë, ku u nderuan të rinjtë me rezultate të larta dhe angazhim të veçantë gjatë viteve të shkollës së mesme.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryebashkiakja e Lushnjës, znj. Eriselda Sefa, e cila zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë me vajzat dhe djemtë ekselentë, të cilët i vlerësoi si “e ardhmja e qytetit dhe krenaria e Lushnjës”, raporton gazetari: Ndriçim Gjoshi
“Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të vlerësosh në emër të institucionit rininë më të mirë që kemi, jo vetëm për rezultatet e tyre të shkëlqyera, por edhe për shpirtin premtues që përfaqësojnë për të ardhmen e këtij vendi”, u shpreh znj. Sefa.
Aktiviteti u përmbyll me ndarjen e certifikatave simbolike për maturantët, si një nxitje për të vijuar më tej rrugën e dijes në arsimin e lartë. Bashkia e Lushnjës ka bërë të ditur se do të vijojë të mbështesë iniciativat që nxisin arsimin dhe përkrahjen ndaj të rinjve me potencial.


