Gazetar: Ndriçim Gjoshi
Në Lushnje vijojnë vizitat në mini-muzeun e ngritur pranë zyrës së Shoqatës Patriotike Kulturore “Myslym Peza” Dega Lushnje, një hapësirë e dedikuar historisë së luftës së Pezës dhe kontributit të Batalionit “Peza”, nën udhëheqjen e Babë Myslymit.
Këtë të mërkurë, ambientet e këtij muzeu u vizituan nga kryetari i Shoqatës Qendrore, z. Daut Kryemadhi, i shoqëruar nga nënkryetari, Prof. Dr. Xheladin Ceka, si dhe anëtarë të kryesisë së shoqatës. Ata u pritën nga kryetari i degës së Lushnjes, z. Ali Haka, dhe përfaqësues të tjerë të kësaj dege.
Gjatë vizitës, të ftuarit panë nga afër dokumente, fotografi dhe objekte që pasqyrojnë historinë dhe aktivitetin e Shoqatës në qytetin e Lushnjes ndër vite. Muzeu vlerësohet si i pari i këtij lloji, i ngritur në nivel degësh në rrethe.
Në përfundim të vizitës, Prof. Dr. Xheladin Ceka i dhuroi një libër z. Ali Haka, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij dhe të ekipit drejtues të shoqatës.
Në intervistë për TV Apollon, z. Ali Haka shprehu kënaqësinë për këtë vlerësim, ndërsa z. Daut Kryemadhi vlerësoi punën e palodhur dhe përkushtimin e degës së Lushnjes në ruajtjen dhe promovimin e vlerave historike dhe patriotike.
Kamera e TV Apollon realizoi intervista me kryetarin e degës në Lushnje, z. Ali Haka, i cili shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij për vizitën dhe mbështetjen.
Në intervistën e tij, kryetari i Shoqatës Patriotike Kulturore “Myslym Peza”, z. Daut Kryemadhi, theksoi rëndësinë e punës së degës së Lushnjes dhe drejtuesve të saj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike të Pezës dhe luftës patriotike.