Për shkak të përkeqësimit të pritshëm të kushteve atmosferike dhe reshjeve të dendura të shiut që parashikohen për 48 orët e ardhshme, Bashkia Lushnje ka mbledhur sot në një takim të posaçëm të gjitha strukturat e emergjencave civile dhe drejtuesit e institucioneve lokale.
Kryebashkiakja Eriselda Sefa kërkoi angazhim maksimal dhe koordinim të ngushtë mes të gjitha grupeve operacionale për të garantuar gatishmëri të plotë dhe ndërhyrje të menjëhershme në çdo situatë të mundshme. Qëllimi kryesor është sigurimi i jetës dhe pronës së qytetarëve dhe shmangia e problematikave që mund të sjellin prurjet e mëdha të ujit apo përmbytjet.
Strukturat janë vënë në gatishmëri për monitorim të vazhdueshëm të terrenit, sidomos në zonat me rrezikshmëri të lartë, dhe janë përcaktuar masat teknike që duhen ndërmarrë në kohë për të përballuar çdo emergjencë të mundshme
Në kete takim u theksua edhe rëndësia e pastrimit të kanaleve kulluese, monitorimit të nivelit të ujërave në lumenj dhe përrenj, si dhe bashkëpunimit me komunitetin për raportimin në kohë të çdo problematike. Kryebashkiakja Sefa kërkoi që çdo institucion të jetë në terren dhe në komunikim të vazhdueshëm me Shtabin e Emergjencës. Gjithashtu u bë thirrje për kujdes të shtuar në infrastrukturën rrugore dhe ndërhyrje të menjëhershme në rast të dëmtimeve apo bllokimeve. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe zonave rurale dhe familjeve në nevojë që mund të preken nga përmbytjet. Strukturat e emergjencës do të jenë në monitorim të vazhdueshëm deri në normalizimin e situatës.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


