Qendra Kulturore e Fëmijëve në Lushnje, e cila duhet të ishte një vatër edukimi artistik, zhvillimi kulturor dhe promovimi të talenteve të vegjël, sot duket se po shndërrohet në një “kafene lagjeje” për disa prej drejtuesve dhe stafit të saj. Në vend që të jetë një hapësirë ku çdo ditë punohet me pasion për t’i dhënë jetë talenteve të rinj, kjo qendër raportohet se funksionon më shumë si vend pushimi sesa si institucion publik edukues.
Në korridoret e kësaj qendre mungojnë zhurmat e fëmijëve që ushtrojnë pasionin për art dhe janë zëvendësuar nga heshtja e zymtë dhe mungesa e aktivitetit real. Ndërsa prindërit me shpresë dërgojnë fëmijët për të marrë kulturë dhe art, një pjesë e stafit, përfshirë drejtues, kalojnë ditët nëpër kafene, duke harruar rolin që u është besuar me paga publike.
Burime nga brenda tregojnë se disa mësues kursesh janë të vetmuar, por puna e tyre lë shumë për të dëshiruar në këtë institucion – një problem i përsëritur në shumë institucione publike, por i theksuar në këtë qendër që ka më shumë punonjës sesa fëmijë aktivë. Ndërkohë, aktivitetet publike janë shpesh të vakëta, pa përgatitje dhe me çmime të ndara paraprakisht në tavolinat e kafeneve, e jo të fituara me meritë nga vetë fëmijët.
Qytetarët shprehin shqetësim për degradimin e rolit të kësaj qendre, e cila në vend që të jetë një strehë për artin dhe kulturën, po kthehet në një shfaqje të përditshme tallavaje, ku mungon vizioni dhe përgjegjësia. Ndërsa drejtuesit “kapardisen” me çanta të shtrenjta në rrugët e qytetit, pas shpine mbeten qindra fëmijë të zhgënjyer, të cilët nuk gjejnë as hapësirën dhe as përkrahjen që u takon.
E njëjta situatë vërehet edhe në fushën e sportit, ku shpesh disa që mbajnë veten si sportistë, drejtues volejbolli apo instruktorë, oraret e punës i kalojnë në kafe dhe në xhiro trotuareve të qytetit.
Qendra Kulturore e Fëmijëve ka nevojë për reformim të thellë – jo vetëm në struktura, por edhe në mentalitet. Ka ardhur koha që të mos jetë më një “çerdhe” e rrogave të lehta dhe emërimeve politike, por një vatër reale pune që mbështet dhe promovon të ardhmen artistike të qytetit.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi