Në Lushnjë ka përfunduar Kampionati i 18-të i Volejbollit mes shkollave 9-vjeçare të Bashkisë Lushnjë. Për më shumë se dy javë, ky aktivitet sportiv bëri bashkë nxënës nga 16 shkolla të qytetit dhe njësive administrative, duke promovuar sportin, bashkëpunimin dhe frymën e garës mes të rinjve.
Finalet e kampionatit u zhvilluan këtë të mërkurë në palestrën e shkollës “Foto Puka”, ku emocionet dhe rivaliteti sportiv shoqëruan dy ndeshjet vendimtare, në kategorinë e vajzave dhe të djemve.
Në finalen e vajzave u përballën shkolla 9-vjeçare “Simon Gjermeni” e Krutjes dhe shkolla 9-vjeçare “Kongresi”. Pas një ndeshjeje të luftuar, skuadra e Krutjes arriti të triumfojë, duke u shpallur kampione e këtij edicioni.
Ndërsa në kategorinë e djemve, në finalen mes shkollës së mesme të bashkuar Kolonjë dhe shkollës “Foto Puka”, triumfuan djemtë e kësaj të fundit, të cilët rrëmbyen kupën e kampionatit.
Në përfundim të aktivitetit, ekipet fituese, sportistët e dalluar dhe skuadrat e renditura në vendin e dytë u vlerësuan me kupa, medalje dhe certifikata pjesëmarrjeje.
Kampionati u organizua në kuadër të festave të Nëntorit dhe u përshëndet nga Skënder Gjyla, i cili vlerësoi rëndësinë e sportit në edukimin dhe formimin e brezit të ri.
Pjesë e aktivitetit ishin edhe drejtues dhe përfaqësues të strukturave sportive e arsimore, mes tyre Miranda Veliu, nga sektori i sporteve, Enkeleda Puka, instruktore sporti, si dhe Leonard Syziu, përgjegjës i sektorit të shkencave në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Lushnjë.
Me ngritjen e kupave nga skuadrat kampione të Krutjes për vajzat dhe “Foto Puka” për djemtë, kampionati i 18-të u mbyll mes duartrokitjeve, emocioneve dhe brohoritjeve të nxënësve, duke lënë pas një tjetër aktivitet të bukur sportiv në qytetin e Lushnjës.