Si çdo vit, Biblioteka e qytetit të Lushnjes çeli aktivitetet e muajit Tetor, i njohur tradicionalisht si muaji i letërsisë shqipe, duke hapur dyert për lexues, autorë dhe dashamirës të fjalës së shkruar.
Takimi i parë për këtë vit nisi me një bashkëbisedim të veçantë me poeten Edlira Gorreja, në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese, ku letërsia u kthye në urë lidhëse mes brezave.
Në këtë aktivitet morën pjesë intelektualë të qytetit, nxënës, mësues, poetë dhe lexues të apasionuar. Pjesë e këtij aktiviteti të muajit të letersisë ishte prezente edhe Kryebashkiakja e Lushnjes zonja Eriselda Sefa e cila pershendeti te ftuarit dhe poeten ne kete muaj te rendesishëm të letërsisë Shqipe .
Ndërsa fjalën hapëse e mbajti Elisabeta Metushi, specialiste e librit pranë Bibliotekës së qytetit, e cila solli në vëmendje rëndësinë e këtij muaji për kujtesën kulturore kombëtare, duke evokuar figurat e mëdha të letrave shqipe si Migjeni, Fishta, Kadare, Dritëro Agolli e të tjerë.
Përmes një bashkëbisedimi të lirshëm, Gorreja ndau me publikun reflektime rreth krijimtarisë së saj, sfidave të të shkruarit dhe rëndësisë së leximit në formimin personal dhe shoqëror.
Takimi u mbyll me një podcast letrar me shkrimtaren e ftuar, ndërsa nxënëset e gjimnazeve të qytetit sollën emocione përmes recitimit të poezive nga autorët klasikë shqiptarë, duke i dhënë zë artit të fjalës në këtë muaj të veçantë.
Biblioteka e Lushnjes do të vijojë me aktivitete të ngjashme gjatë gjithë tetorit, në një festë të bukur për librin, gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


