Lushnjë, nis trajnimi i efektivëve të rinj të Policisë Bashkiake !

Në ambientet e Bashkisë Lushnjë ka nisur trajnimi i 7 efektivëve të rinj, të cilët do t’i bashkohen Policisë Bashkiake në ditët në vijim.

Nën drejtimin e kryeinspektorit të Policisë Bashkiake Marjano Prifti , pesë vajza dhe dy djem po zhvillojnë fazën përgatitore përpara se të dalin në terren, ku do të angazhohen në zbatimin e ligjit dhe monitorimin e shkeljeve në territorin e qytetit.

Ky institucion ka pasur një mungesë të theksuar të stafit efektiv, ndërsa me afrimin e punonjësve të rinj synohet forcimi i pranisë në terren dhe rritja e eficiencës në shërbim të komunitetit.

Sipas drejtuesve, Policia Bashkiake ka marrë vlerësime pozitive nga qytetarët për angazhimin në zbatimin e ligjit dhe garantimin e rendit publik, ndërsa pritet që me shtimin e stafit shërbimi të përmirësohet edhe më tej.

Efektivët e rinj do të angazhohen kryesisht në kontrollin e hapësirave publike, disiplinimin e parkimeve dhe respektimin e rregullave të qarkullimit brenda territorit të bashkisë.

Trajnimi përfshin njohjen me legjislacionin përkatës, procedurat administrative dhe etikën në komunikim me qytetarët.

Drejtuesit theksojnë se synimi kryesor është rritja e sigurisë dhe përmirësimi i standardeve të shërbimit ndaj komunitetit.

Me këtë përforcim të stafit, Policia Bashkiake pritet të ketë një prezencë më të dukshme dhe më efektive në terren.

N&Gj.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033