Lushnje, Banorët e Imshtës kundër parkut fotovoltaik: Toka është e shtetit, ne e kemi në përdorim

Një konflikt për tokën bujqësore ka nxjerrë sot rreth 70 banorë të fshatit Imshtë para komisariatit të Lushnjës, në shenjë kundërshtimi ndaj ndërtimit të një parku fotovoltaik në sipërfaqe që ata e përdorin prej më shumë se tre dekadash.

Banorët deklarojnë se toka është shtetërore, por në përdorim të tyre që prej vitit 1994, mbi bazën e akteve të përdorimit të lëshuara nga ish-Komuna Bubullimë. Bëhet fjalë për rreth 100 hektarë tokë bujqësore në basenin e lumit Seman, të mbjella ndër vite me misër, bostan dhe kultura foragjere.

Protesta vjen pas përplasjes së ndodhur dy ditë më parë, kur investitori tentoi të rrethonte zonën me struktura betoni. Banorët reaguan, ndërsa policia nisi procedim në gjendje të lirë për gjashtë protestues. Sot, komuniteti u mblodh për të kërkuar që hetimi ndaj tyre të ndalet dhe që institucionet të ndërhyjnë për zgjidhjen e çështjes.

Sipas banorëve, pretendimi për pronësinë e tokës ka nisur nga Bilbil Xhindoli dhe më pas toka i është shitur biznesmenit Elton Çekrezi, i cili synon ndërtimin e parkut fotovoltaik. Ata thonë se janë prej vitesh në proces gjyqësor me Xhindolin, i cili kërkon tokën në cilësinë e ish-pronarit.

Një shkresë e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, e datës 21 maj 2024, konstaton se nuk ekziston asnjë vendim për njohje, kthim apo kompensim prone në zonën e Imshtës. Çështja është kallëzuar në Prokurorinë e Fierit nga deputeti Erion Braçe, i cili mbështet banorët.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033