Lushnja prezanton planin lokal për barazinë gjinore 2025–2030

Drejtues lokalë dhe qytetarë të Lushnjës diskutojnë objektivat e Planit Vendor për Barazinë Gjinore, si pjesë e angazhimeve ndaj Kartës Europiane.

Në ambientet e Muzeut Historik të Lushnjës u mbajt një dëgjesë publike me temën “Plani Vendor për Barazinë Gjinore 2025–2030”. Aktiviteti kishte si qëllim prezantimin e nismës së re të Bashkisë Lushnjë për të promovuar barazinë mes grave dhe burrave në të gjitha aspektet e jetës vendore.

Ky plan përfaqëson një instrument të rëndësishëm për zbatimin e angazhimeve që bashkia ka ndërmarrë përmes nënshkrimit të Kartës Europiane për Barazinë Gjinore në Jetën Vendore. Dokumenti synon të sjellë politika konkrete dhe veprime të matshme që garantojnë pjesëmarrje të barabartë në vendimmarrje, arsim, punësim dhe akses në shërbime publike.

Në takim morën pjesë qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore si dhe drejtues të sektorëve përkatës. Ndër të pranishmit ishte edhe drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë Lushnjë, znj. Anila Çela.

Në një prononcim për mikrofonin e TV Apollon dhe gazetarin Ndriçim Gjoshi, Çela theksoi rëndësinë e këtij plani në jetën sociale dhe institucionale të qytetit. Ajo u shpreh se dokumenti nuk do të mbetet në letër, por do të zbatohet në praktikë për të ndikuar realisht në përmirësimin e jetës së komunitetit.

Zbatimi i këtij plani do të ndiqet nga mekanizma monitorimi, ndërkohë që komuniteti lokal do të jetë i përfshirë në çdo hap të procesit. Bashkia synon të krijojë një model të qeverisjes së ndjeshme ndaj çështjeve gjinore, duke u bërë shembull për bashkitë e tjera.

Dëgjesa u vlerësua si një hap pozitiv drejt ndërtimit të një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, ku zëri i çdo qytetari të dëgjohet e të merret parasysh në vendimmarrje.

Ndaj Postimin: