Në fshatin Çukas të Njësisë Administrative Fiershegan, u zhvillua një ceremoni përkujtimore me rastin e 81-vjetorit të rënies së heroinës së popullit Liri Gero, simbol i rinisë lushnjare në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues të Bashkisë Lushnje, Bashkisë Dimal, Bashkisë Fier, organizata të veteranëve, pasardhës të dëshmorëve, nxënës të shkollës së bashkuar Fier-Shegan dhe banorë të zonës. Pjesëmarrësit nderuan figurën e Liri Geros dhe sakrificat e të rinjve lushnjarë që dhanë jetën për atdheun.
Ceremonia nisi me intonimin e himnit kombëtar dhe një minutë heshtje në respekt të dëshmorëve të rënë. Një moment i veçantë ishte pastrimi dhe sistemimi i lapidarit të heroinës, një nismë e realizuar nga drejtuesi i ri i Njësisë Administrative Fiershegan, Fabio Mirofci, duke e kthyer atë në një vend më dinjitoz për homazhe.
Kryetarja e Bashkisë Lushnje, znj. Eriselda Sefa, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtesës historike. Ajo nënvizoi se sakrifica e Liri Geros dhe shokëve të saj është një trashëgimi që duhet t’u përcillet brezave të rinj, si dëshmi e atdhedashurisë dhe e luftës për liri.
Nga ana e tij, Fabio Mirofci vlerësoi lart rolin e Liri Geros në historinë shqiptare dhe kontributin e të rinjve lushnjarë në qëndresën antifashiste. Ai apeloi që vlerat e tyre të mos mbeten vetëm në libra, por të shndërrohen në mësime të gjalla për të rinjtë e sotëm.
Banorët e Çukasit, të pranishëm në këtë përkujtim solemn, shprehën krenarinë për figurën e heroinës, duke e cilësuar atë një model frymëzimi për gratë dhe vajzat shqiptare që vazhdojnë të kontribuojnë në shoqëri.
81-vjetori i rënies së Liri Geros u kthye në një moment reflektimi mbi vlerat e sakrificës, lirisë dhe patriotizmit, duke forcuar mesazhin se historia duhet të mbahet gjallë përmes kujtimeve dhe respektit ndaj figurave që dhanë jetën për vendin.
 
				 
															 
         
         
        

