Luledielli po zë vendin e grurit në fushat e harruara të Myzeqesë

Fermerët e Divjakës po rikthejnë kultivimin e lulediellit si një burim fitimi dhe vlerë ushqimore, pavarësisht mungesës së mbështetjes shtetërore dhe problemeve me ujitjen.

Dikur simbol i prodhimit bujqësor në fushat pjellore të Myzeqesë, veçanërisht në zonën e Tërbufit, luledielli ishte një nga kulturat më të rëndësishme të para viteve ’90. Kjo bimë, e njohur për vlerat e saj ushqimore, u braktis më pas nga shumica e fermerëve për shkak të mungesës së tregut dhe mbështetjes, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Sot, fermerët e fshatrave Grabian dhe Gërmenj, pjesë e bashkisë Divjakë, po i rikthehen kultivimit të lulediellit. Ata kanë ruajtur për vite traditën e mbjelljes së kësaj bime, duke mbjellë çdo sezon tokat e tyre, edhe pse mungon infrastruktura dhe ndihma financiare. Për ta, luledielli mbetet një trashëgimi që meriton të ringjallet.

Një numër në rritje fermerësh që më parë mbillnin grurë, tashmë po e zëvendësojnë atë me lulediell. Arsyeja? Sipas tyre, fitimet janë dukshëm më të larta, pasi prodhimi kërkohet më shumë në tregjet ushqimore dhe për përpunim në vaj. Megjithatë, pengesat nuk mungojnë.

Mungesa e ujit për vaditje dhe kanalet e bllokuara janë një shqetësim i madh. Shumë sipërfaqe në Tërbuf mbeten të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së investimeve në infrastrukturën bujqësore. Kjo situatë i detyron fermerët të përballen me vështirësi për të siguruar rendimentin e duhur.

Sipas specialistëve të bujqësisë në Lushnje, sipërfaqja e mbjellë me lulediell është shtuar ndjeshëm dhe vetëm këtë vit është katërfishuar. Ky trend dëshmon për rikthimin e kësaj kulture si një alternativë serioze për ekonominë bujqësore të zonës.

Fermerët kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të përfshijë lulediellin në skemat e subvencionimit. Ata theksojnë se është pikërisht përkushtimi dhe përvoja e tyre që ka mbajtur gjallë këtë kulturë, duke kontribuar në diversifikimin dhe rigjallërimin e bujqësisë vendase. Ndihma financiare do të ishte një shtysë për rritjen e prodhimit dhe stabilizimin e të ardhurave të tyre.

Ndaj Postimin: