Lufta kundër korrupsionit: Reforma në drejtësi dhe sfida të reja për Shqipërinë

Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua një seminar publik i Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse në luftën ndaj korrupsionit”.

Takimi mblodhi figura kyçe nga politika dhe drejtësia, ku ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vlerësoi progresin e deritanishëm të reformës në drejtësi dhe punën e SPAK.

Manja theksoi se krijimi i SPAK ka përfaqësuar një hap të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “SPAK ka hetuar dhe çuar në gjyq figura të larta politike dhe zyrtare, duke dëshmuar se askush nuk është mbi ligjin,” u shpreh ai. Rezultatet konkrete, si sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme, kanë rritur besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Sipas ministrit, një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës ka qenë pavarësia e institucioneve të drejtësisë. Ai theksoi se procesi i vettingut dhe puna e KPA-së duhet të vijojnë me të njëjtat standarde për të konsoliduar arritjet e deritanishme.

Ndër arritjet më të rëndësishme, ministri përmendi rezultatet e SPAK, të cilat e kanë kthyer këtë institucion në një model suksesi në rajon. Hetimi i zyrtarëve të lartë, përfshirë ish-presidentë, ish-kryeministra dhe deputetë, ka dhënë një mesazh të qartë: “Ligji vlen për të gjithë, pa përjashtime.”

Një tjetër fokus i takimit ishte rëndësia e digjitalizimit në luftën kundër korrupsionit. Manja njoftoi se në fillim të vitit të ardhshëm, Ministria e Drejtësisë do të bëjë operacional regjistrin digjital të zyrtarëve shqiptarë, një platformë që synon të rrisë transparencën dhe të ulë ndërveprimin fizik me zyrtarët. “Digjitalizimi është arma jonë e fuqishme kundër korrupsionit,” deklaroi ai, duke përmendur suksesin e platformës e-Albania.

Një nga sfidat kryesore mbetet plotësimi i vakancave në sistemin gjyqësor. Sipas Manjës, është thelbësore që gjyqtarët dhe prokurorët të marrin trajnimet e nevojshme për të garantuar një drejtësi efektive. Ai apeloi për rritjen e angazhimit të shoqërisë civile si mbikëqyrëse e reformave dhe nxitëse e denoncimeve publike.

Në fund të fjalës së tij, ministri theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave si një angazhim i të gjithë shoqërisë. “Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një betejë e sotme, por një garanci për të ardhmen e brezave të ardhshëm,” u shpreh ai, duke nënvizuar ambicien e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

Ky seminar përforcoi bindjen se përparimi në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit mbeten thelbësore për të ardhmen demokratike të vendit dhe integrimin e tij europian.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera