Tre vite pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, Evropa vazhdon të përballet me pasojat e një konflikti që ka ndryshuar rrënjësisht peizazhin e sigurisë.
Si Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, shoh çdo ditë se si partneriteti mes dy shteteve tona forcohet, duke u përballur me sfida të përbashkëta. Ky pushtim, që përshkruhet si sulmi më i madh ushtarak në kontinentin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka nxjerrë në pah domosdoshmërinë e solidaritetit ndërkombëtar.
Ndonëse presidenti rus, Vladimir Putin, priste një fitore të shpejtë, ai ka dështuar të pushtojë tërësisht asnjë provincë ukrainase dhe nuk ka mundur të marrë më shumë territor. Kjo ka ndodhur falë qëndresës heroike të popullit ukrainas dhe mbështetjes të vazhdueshme të shteteve si Shqipëria, e cila ka demonstruar angazhimin e saj për Ukrainën me veprime konkrete, jo vetëm fjalë.
Në këtë kontekst, Shqipëria është një nga dhjetë kontribuesit më të mëdhenj për Ukrainën, duke ofruar mbështetje të rëndësishme ushtarake, përfshirë armë, municione dhe automjete. Gjithashtu, trupat ukrainase janë stërvitur në Shqipëri dhe forcat ushtarake shqiptare kanë bashkëpunuar me ekspertët britanikë për të përmirësuar aftësitë ushtarake të Ukrainës. Ky partneritet është mbështetur dhe nga një angazhim diplomatik i lartë, me Shqipërinë si bashkëfirmëtare e marrëveshjes për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Rezistenca e Ukrainës ka pasur pasoja të thella për Ushtrinë Ruse, duke shkatërruar një të katërtën e flotës së saj detare në Detin e Zi dhe duke shtyrë forcat ruse shumë larg Sevastopolit. Këto fitore nuk janë thjesht ushtarake, por kanë mundësuar Ukrainën të rinovojë eksportet e saj thelbësore, veçanërisht ato bujqësore, duke i dhënë mundësi të rimarrë kontrollin mbi disa nga burimet e saj kryesore ekonomike.
Partneriteti mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar është forcua vit pas viti, duke përfshirë nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës, si dhe një marrëveshje mbi sigurinë. Po ashtu, në korrik 2024, Shqipëria iu bashkua iniciativës britanike për të luftuar flotën e hijeve ruse, duke shtrënguar më tej sanksionet ndaj regjimit të Putinit.
Britania ka qenë një lider i padiskutueshëm në përpjekjet për të garantuar sigurinë e Ukrainës, duke shprehur gatishmërinë e saj për të dërguar forca ushtarake nëse është e nevojshme. Ky angazhim nuk është thjesht një përgjegjësi ushtarake, por një investim për sigurinë e të gjithë Evropës. Kryeministri britanik ka theksuar se ndihma për Ukrainën është, në fakt, një ndihmë për të siguruar të ardhmen e Evropës dhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërsa përvjetori i luftës në Ukrainë shënon një moment të dhimbshëm, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar e kuptojnë thellësisht se ky konflikt nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Ky është një luftë për të mbrojtur rendin ndërkombëtar dhe parandalimin e normalizimit të shkeljeve të ligjit nga një fuqi agresore. Për të dyja shtetet, siguria e Ukrainës është e lidhur ngushtësisht me sigurinë e Evropës dhe të ardhmen e përbashkët të kontinentit.