Analisti Fatos Lubonja ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se procesi zgjedhor në vend ka qenë i pastër dhe nuk ka pasur dyshime për legjitimitetin e tij.
Ai ka vlerësuar mbështetjen që ka marrë Albin Kurti nga populli, duke e lidhur këtë me favorizimin e tij në këto zgjedhje.
Lubonja ka theksuar se një faktor kyç për fitoren e Kurtit ka qenë lidhja e tij e ngushtë me popullin, i cili i ka dhënë një mbështetje më të madhe se kundërshtarët e tij. Kjo mbështetje, sipas tij, i ka dhënë avantazh politik dhe ka ndihmuar që ai të dalë fitues në këto zgjedhje.
Një tjetër çështje që analisti ka komentuar është mungesa e diskutimit për bashkimin kombëtar me Shqipërinë gjatë fushatave zgjedhore. Lubonja ka theksuar se ky premtim nuk është përmendur më gjatë fushatave të fundit në Kosovë, dhe sipas tij, kjo lidhet me mënyrën se si është ndërtuar shteti i Kosovës pas çlirimit të tij dhe me rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces.
“Ka kohë që në fushatat zgjedhore në Kosovë nuk është përmendur premtimi për bashkimin kombëtar me Shqipërinë. Ky fakt ka të bëjë me historinë dhe mënyrën si është ndërtuar shteti i Kosovës. Vërtet, aspirata për bashkimin ka qenë e pranishme, por ky bashkim nuk mund të realizohej pa mbështetjen dhe bekimin e ndërkombëtarëve,” shprehu Lubonja.
Ai ka theksuar gjithashtu se ndërkombëtarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e ekuilibrave të rinj në Kosovë pas çlirimit, duke shtuar se ky ndikim ka bërë që çështje të tilla, si bashkimi kombëtar, të mos jenë më pjesë e axhendës politike në vend.
Në fund, Lubonja ka vlerësuar stabilitetin që ka arritur Kosova dhe ka theksuar se përplasjet për çështje të tilla si bashkimi kombëtar mund të dëmtonin këtë stabilitet dhe të krijonin tensione të panevojshme, duke kërkuar një qasje më të matur dhe të përmbajtur në politikën e brendshme të Kosovës.