Reperja Loredana ka reaguar publikisht pas publikimit të këngës së fundit të ish-partnerit të saj, Mozzik, në të cilën ai i kushton disa vargje diss-i.
Në tekstin e këngës, Mozzik i referohet lidhjes së Loredanës me futbollistin Karim Adeyemi, duke përdorur fraza të ashpra që, sipas artistes, kanë ndikuar jo vetëm tek ajo, por edhe tek vajza e tyre, Hana.
Në një intervistë, Loredana u shpreh se u ndje shumë keq kur dëgjoi këngën. “Isha në shtëpi kur e pashë dhe thashë: ‘Haj medet o Zot’. Është shumë e rëndë. Vajzës i thashë që nëse do të flasë me babin, le të flasë, nëse jo, është e drejta e saj,” deklaroi ajo.
Artistja theksoi se situata ka prekur ndjeshëm vajzën e tyre. “I kam shkruar edhe atij dhe i kam thënë: ‘Hana është shumë keq’. Më vjen shumë turp dhe shumë keq për vajzën,” u shpreh Loredana.
Ajo sqaroi gjithashtu se nuk e ka ndaluar asnjëherë Mozzikun të takojë vajzën. Sipas saj, gjatë shtatzënisë kishte bërë një deklaratë në gjendje të rënduar emocionale, por theksoi se dera ka qenë gjithmonë e hapur për të.
“Ai e ka derën e hapur gjithmonë për ta parë vajzën kur të dojë. Por nuk e ka parë si obligim të vijë. Gjithmonë më ka thënë që duhet t’ia sjell unë,” tha ajo, duke shtuar se vajza mund ta kontaktojë babanë kur të dojë.
Sipas Loredanës, Mozzik ka pasur koncerte në Gjermani, por nuk ka shfrytëzuar mundësinë për të takuar Hanën. Ajo përfundoi duke thënë se situata është, sipas saj, pasojë e një konflikti personal mes tyre.