Mbretëria e Bashkuar do të shpenzojë 230 milionë euro për përgatitjen e forcave të saj të armatosura për një dislokim të mundshëm në Ukrainë, në rast se arrihet një armëpushim me Rusinë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Londër, fondi do të sigurohet nga buxheti ushtarak i vitit 2026 dhe do të përdoret për pajisjen e ushtrisë me mjete të reja, sisteme të avancuara komunikimi dhe kapacitete mbrojtëse kundër dronëve. Qëllimi është që trupat britanike të jenë të gatshme për t’u angazhuar në një forcë shumëkombëshe në territorin e Ukrainës.
Në kuadër të kësaj nisme, Londra do të nisë gjatë këtij muaji edhe prodhimin e dronëve interceptues Octopus, të cilët do të përdoren për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Ky zhvillim vjen pas deklaratës së përbashkët të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, ku të dyja vendet kanë shprehur gatishmërinë për të dislokuar trupa për ruajtjen e paqes, në rast se arrihet një armëpushim në Ukrainë.
Kryeministri britanik Keir Starmer ka bërë të ditur se detajet e kësaj nisme do të bëhen publike sa më shpejt të jetë e mundur dhe ka garantuar se çdo vendim për dërgimin e trupave do t’i nënshtrohet votimit në Parlament.