Lokali “O Gyros tou Asirmatou” në Greqi, ku në orët e para të mëngjesit u plagosën babë e bir shqiptarë me mbiemër Sinovarfaj, rezulton i lidhur me persona të përfshirë në hetime të mëparshme penale, të ndërtuara mbi komunikime të zbuluara nga platforma e enkriptuar “Sky ECC”. Hetimet në fjalë, të zhvilluara në Greqi, çuan në dhjetor të vitit 2024 në arrestimin e 24 personave, mes tyre 14 shqiptarë, si pjesë e disa grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe ngjarje të rënda kriminale.
Sipas materialeve hetimore, lokali ku u plagosën 39-vjeçari Negri Sinovarfaj dhe babai i tij 70-vjeçar kishte një pronar të padeklaruar zyrtarisht. Si pronar “fantazmë” rezulton 34-vjeçari nga Vlora, Andon Salati, ndërsa në dokumente lokali figuron në pronësi të shoqërisë “K Salati N Sinovarfaj O.E.”.
Andon Salati, lindur në Vlorë dhe banues në Nea Smyrni të Athinës, konsiderohet nga autoritetet greke si një nga drejtuesit e një grupi kriminal që vepronte në bashkëpunim me Denis Grabockën. Ai njihet edhe me pseudonimet “Sal”, “Salah” dhe “Toni” dhe është identifikuar si përdorues i platformave të komunikimit të enkriptuar “Sky ECC” dhe “Encrochat”, të cilat janë përdorur nga grupet kriminale për koordinimin e veprimtarisë së tyre.
Në të njëjtin grup kriminal ka qenë i përfshirë edhe Aleksandër Sadikaj nga Memaliaj, i ekzekutuar në Tiranë në vitin 2022 pas shpërthimit të eksplozivit në automjetin e tij. Sipas hetimeve, rrjeti ishte i angazhuar në trafikun e marijuanës dhe kokainës nga Spanja dhe Shqipëria drejt Greqisë.
Të dhënat tregojnë se në shkurt të vitit 2016, Andon Salati është ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës me 148 mijë euro cash, të cilat po tentonte t’i fuste në Shqipëri, ndërsa për këtë rast është ndjekur në gjendje të lirë. Nga viti 2018 deri në vitin 2020, ai ka qenë i burgosur në burgun e Koridhalos në Greqi, si drejtues i një grupi kriminal që shpërndante lëndë narkotike në Athinë dhe Mykonos.
Sipas materialeve hetimore, edhe gjatë kohës që ndodhej në burg, Salati ka vijuar të ushtrojë ndikim në veprimtarinë kriminale të grupit përmes komunikimeve të fshehta. Në këto komunikime përshkruhen kushtet e qëndrimit në burg dhe marrëdhëniet me punonjës të institucionit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Andon Salati dhe Denis Grabocka rezultojnë pronarë të fshehtë të një kompanie që jep makina me qira në Athinë, e regjistruar në emër të familjarëve të tyre. Kompania “Carent” ka në pronësi dhjetëra automjete dhe motorë, disa prej të cilave janë përdorur nga anëtarë të grupit ose janë sekuestruar në ngjarje të ndryshme penale.
Sipas të dhënave, automjetet jepeshin me qira për t’u siguruar anëtarëve të rrjetit një mbulesë ligjore në lëvizje dhe për të shmangur identifikimin e drejtuesve realë apo konfiskimin e mjeteve private. Kompania “Carent” rezulton e lidhur edhe me shoqërinë “I Go Rental”, e krijuar në vitin 2017 në Mykonos, në periudhën kur Andon Salati ishte aktiv, përpara arrestimit të tij në vitin 2018.