Liverpool gjen milionat, Salah mbetet i kuq për të paktën dy vite të tjera

Historia e Mo Salah te Liverpool ka kaluar përmes shumë peripecish, por duket se telenovela do të ketë një fund të lumtur për tifozët e kuq. Pas shumë spekulimeve dhe deklaratave që nënkuptonin largimin e tij, përfundimisht egjiptiani pritet të rinovojë kontratën me klubin dhe të vazhdojë të mbajë fanellën e Liverpool deri në vitin 2027.

Në vitin e fundit të kontratës së tij, Salah kishte shprehur publikisht disa herë se ky mund të ishte sezoni i tij i fundit te Liverpool, duke theksuar se klubi nuk i kishte ofruar një rinovim. Megjithatë, ritmi i jashtëzakonshëm që ka ruajtur këtë sezon, duke mbetur golashënuesi më i mirë i Premier League, ka ndikuar në ndryshimin e situatës.

Mediat egjiptiane raportojnë se klubi ka arritur të gjejë buxhetin e nevojshëm për të mbajtur Salah në skuadër, një vendim që ka ardhur pas disa lëvizjeve strategjike në merkato. Një nga elementët kyç për këtë marrëveshje është largimi i Trent Alexander Arnold, i cili pritet të kalojë te një klub tjetër, me destinacionin më të mundshëm Madridin.

Me këtë lëvizje, Liverpool do të ketë mundësinë të kursente një pjesë të konsiderueshme nga paga e Arnold, e cila do të përdoret për të përmbushur kërkesat financiare të Salah. Aktualisht, egjiptiani përfiton rreth 25 milionë euro në sezon, por oferta e re nga Liverpool do të jetë më e përmbajtur, duke marrë parasysh moshën e tij, pasi ai do të jetë 31 vjeç në momentin e rinovimit.

Pavarësisht interesit të vazhdueshëm nga Arabia Saudite, ku janë ofruar shumë para për të bërë transferimin e Salah, duket se momenti për një kalim të tillë nuk ka ardhur ende. Pavarësisht moshës, Salah vazhdon të ketë një ritëm të pabesueshëm, që e bën një lojtar të pazëvendësueshëm për Liverpoolin.

Kështu, për të paktën dy vitet e ardhshme, tifozët e Liverpool mund të qetësohen, pasi “faraoni” do të mbetet pjesë e skuadrës dhe do të vazhdojë të udhëheqë sulmin e të kuqve në Premier League dhe kompeticionet ndërkombëtare.

Ndaj Postimin: