Lista Serbe merr certifikimin për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërkombëtarët kundër tentativave për përjashtim

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka certifikuar listën e plotë të kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke rrëzuar vendimin e KQZ-së që kishte refuzuar certifikimin e 33 prej tyre. Paneli njoftoi se ka pranuar ankesën e partisë dhe ka lejuar pjesëmarrjen e saj të plotë në garë.

Në mbledhjen e KQZ-së më 10 dhjetor, dy anëtarë të Vetëvendosjes, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe. Kurteshi deklaroi se ishte kundër pjesëmarrjes së partisë dhe kandidatëve të saj në zgjedhje, pa dhënë shpjegime të detajuara. Gjashtë anëtarë të tjerë abstenuan dhe tre votuan për.

Lista Serbe ka mirëpritur vendimin e panelit, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ka ushtruar presion për ta përjashtuar nga zgjedhjet. Sipas partisë, këtë vit është hera e katërt që përfaqësuesit e Vetëvendosjes tentojnë të bllokojnë pjesëmarrjen e saj, veprime që kanë shkaktuar reagime të forta nga bashkësia ndërkombëtare.

Ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë theksuar se procesi zgjedhor duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe se çdo komunitet në Kosovë duhet të ketë të drejta të plota demokratike. Ambasada amerikane i quajti përpjekjet e Vetëvendosjes “të shkurtpamëse dhe përçarëse”. Zyra e Bashkimit Evropian shprehu gjithashtu pakënaqësi për mënyrën si po trajtohen çështjet e certifikimit nga KQZ.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe fitoi 9 nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend, ndërsa në zgjedhjet e tetorit mori të gjitha komunat me shumicë serbe, duke u rikthyer në pozitat e saj tradicionale pas largimit nga institucionet në vitin 2022.

Zgjedhjet e këtij fundmuaji vijnë pas dështimit të Vetëvendosjes për të siguruar shumicën parlamentare për një mandat të dytë qeverisës. Partia e Kurtit fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 ulëset e saj nuk mjaftuan për të formuar një qeveri të re dhe përpjekjet për koalicion nuk dhanë rezultat.

Ndaj Postimin: