Viti 2024 shënoi një rënie dramatike të lindjeve në Shqipëri, një tendencë që po thellohet vit pas viti dhe që reflekton përkeqësimin e treguesve demografikë, si dhe pasigurinë ekonomike dhe sociale.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, në vitin 2024 kanë lindur vetëm 22,425 foshnja, që përbën një rënie prej 5% krahasuar me vitin 2023. Ky është niveli më i ulët i lindjeve që nga viti 1934, kur janë regjistruar të dhënat më të hershme zyrtare.
Në krahasim me periudha të tjera historike, situata aktuale është alarmante. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shembull, në vitin 1942, Shqipëria ka regjistruar mbi 36 mijë lindje, pavarësisht kushteve të luftës dhe numrit më të ulët të grave në moshë riprodhimi. Po ashtu, në vitin 1950, kur vendi ndodhej në prag të regjimit komunist, numri i lindjeve ishte 47,291, ndërkohë që numri i grave të moshës riprodhuese ishte vetëm 259 mijë.
Në vitin 2024, numri i grave në moshë riprodhuese ishte pothuajse dyfish më i lartë se në vitet 1950, por përkundër kësaj, lindjet kanë shënuar një rënie të ndjeshme. Demografët dhe sociologët janë të shqetësuar për këtë zhvillim, duke e konsideruar rënien e lindjeve si një fenomen që ka kaluar parashikimet e mëparshme dhe ka shndërruar shqetësimin për të ardhmen e popullsisë në një problem akut.
Ekspertët kanë theksuar se politika e shtetit është shumë e vonuar për të ndërmarrë një grup masash që mund të frenojnë këtë rënie dhe të mbështesin çiftet e reja që duan të kenë fëmijë. Sipas tyre, është e nevojshme që të krijohen kushte më të mira ekonomike për familjet, si dhe të ofrohen mundësi për mbështetje të drejtpërdrejtë, sidomos në zona të caktuara që janë më të prekura nga ky fenomen.
Një ndër rekomandimet kryesore është hartimi i një pakete politikash që do të ndihmonte familjet për të mbuluar kostot e rritjes së fëmijëve, të cilat për shkak të vështirësive ekonomike janë bërë gjithnjë e më të rënduara. Ndërkohë, praktikat e vendeve të tjera që kanë përjetuar ulje të normave të fertilitetit para nesh, si Spanja, tregojnë se mbështetja e familjeve të reja është një nga mjetet më efektive për të rritur lindjet.
Një shembull i suksesshëm është reforma e vitit 2003 në Spanjë, ku nënat që kishin fëmijë deri në moshën tre vjeçare dhe punonin, përjashtoheshin nga tatimi mbi të ardhurat personale. Po ashtu, për çdo lindje, ato përfitonin një bonus prej 2500 eurosh. Kjo politikë kontribuoi në rritjen e normës së lindjeve dhe mund të shërbejë si model për Shqipërinë.
Megjithë ndryshimet ekonomike dhe sociale, shoqëria shqiptare ruan ende vlerat tradicionale të familjes. Sipas një ankete të vitit 2018, gratë shqiptare e konsiderojnë ende ideal të lindin më shumë fëmijë se sa kanë mundur në realitet. Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që shteti të ndërhyjë me masa të shpejta dhe të qëndrueshme për të mbështetur politikat familjare dhe për të përmirësuar kushtet për çiftet që duan të krijojnë familje.