Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave, një hap i rëndësishëm për Integrimin Evropian

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipërë, Silvio Gonzato, ku u diskutuan progresi dhe sfidat në fushat që mbulon ky institucion.

Takimi theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe harmonizimin e ligjeve shqiptare me standardet evropiane.

Një nga temat kryesore ishte ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, që përputhet me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR). Komisioneri Dervishi falenderoi BE-në për mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar sidomos ndihmën teknike në procesin e harmonizimit të këtij ligji.

Dervishi nënvizoi se sfida kryesore qëndron tek zbatimi i plotë i ligjit. Ai theksoi nevojën për mbështetje në rritjen e kapaciteteve profesionale të institucionit, si dhe tek nxitja e vetëdijesimit të qytetarëve dhe institucioneve publike e private mbi risitë e legjislacionit të ri.

“Mbrojtja e të dhënave personale është një element kyç për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe një hap thelbësor drejt procesit të integrimit evropian. Angazhimi i të gjithë aktorëve është i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi,” deklaroi Komisioneri.

Ambasadori Gonzato vlerësoi përpjekjet e institucionit të Komisionerit, duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për avancimin e këtyre nismave. Ai u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në realizimin e objektivave afatgjata në këtë drejtim.

Në takim morën pjesë edhe drejtues të lartë të institucionit të Komisionerit, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipërë. Ata ndanë mendime mbi sfidat e mbetur dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor.

Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit institucional dhe forcimit të qasjes proaktive ndaj mbrojtjes së të dhënave personale. Po ashtu, ata diskutuan mbi rritjen e transparencës dhe forcimin e lidhjeve me qytetarët.

Takimi përforcoi angazhimin e dyanshëm për të promovuar kulturën e mbrojtjes së të dhënave dhe për të siguruar që Shqipëria të vazhdojë progresin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera