Ligji për kontrollin e ushqimit nuk kalon, mazhoranca premton paketë të re sipas modelit të BE

Projektligji që synonte detyrimin e analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë nuk mori miratimin e Komisionit për Bujqësinë dhe Ushqimin, duke u ndalur që në fazën parlamentare.

Mazhoranca votoi kundër dërgimit të nismës në Kuvend, duke argumentuar se siguria ushqimore do të rregullohet përmes një pakete të re ligjore për kontrollet zyrtare, e cila është në proces hartimi nga Ministria e Bujqësisë.

Opozita e cilësoi refuzimin si shmangie nga problemi real. Deputetët nismëtarë theksuan se infrastruktura aktuale laboratorike nuk garanton kontroll efektiv të produkteve ushqimore dhe dëmton fermerët, veçanërisht në eksport.

Në mbledhje u përmendën edhe raste konkrete të penalizimeve të produkteve shqiptare jashtë vendit, si dhe investigime që kanë ngritur shqetësime për praninë e pesticideve, salmonelës dhe metaleve të rënda në ushqim.

Zëvendësministri Arjan Jaupllari reagoi ndaj këtyre pretendimeve duke minimizuar përfundimet e dokumentarëve investigativë dhe duke theksuar se problematikat lidhen edhe me faktorë tregtarë.

Ndërkohë, nga radhët e mazhorancës u pranua se problematika ekzistojnë. Deputeti Fadil Nasufi deklaroi se fermerët shpesh prodhojnë ushqim të diferencuar për eksport dhe për tregun vendas, duke pranuar implicitisht dobësitë e sistemit të kontrollit.

Deputetja Erisa Xhixho paralajmëroi se pa garanci reale për sigurinë ushqimore, integrimi europian mbetet i rrezikuar. Ajo e cilësoi projektligjin si përpjekje për të mbyllur një boshllëk ligjor.

Në fund, Ministria e Bujqësisë bëri të ditur se synon ngritjen e qendrave laboratorike ushqimore në shtatë pika kufitare, si pjesë e reformës së premtuar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033