Një tjetër marrëveshje mes PS dhe PD duket në horizontin parlamentar, pavarësisht sherreve dhe debateve të përditshme. Këtë herë bëhet fjalë për ligjin e shumëpërfolur të medias, për të cilin vitet e fundit ka pasur disa tentativa për t’u hartuar dhe miratuar deri në fund.
Kësaj here duket se Jorida Tabaku dhe Iris Luarasi kanë marrë frenat në dorë dhe së bashku kanë nisur punën për të hartuar një ligj që do të kënaqë edhe socialistët edhe demokratët. Për këtë, ato kanë ngritur një grup pune të përbërë nga ekspertët Mark Marku, ish-deputet i PD që vitet e fundit është afër qeverisë; Neritan Sejamini, ekspert i gjithçkaje për çdo kryeministër dhe kandidat për kryeministër; Koloreto Cukali, drejtor i Këshillit të Medias; dhe Klodiana Kapo nga portali Faktoje. Së bashku me deputetet Tabaku dhe Luarasi, këta të gjashtë kanë nisur parapërgatitjet për hartimin e ligjit të ri të medias, në gjurmët e procesit të hartimit të Kodit të ri Penal.
Pa shumë zhurmë dhe pa ftuar ekspertë të tjerë apo gazetarë aktivë, reporterë, apo profesionistë me më shumë eksperiencë. Në grupin e ftuar nga Tabaku dhe Luarasi nuk ka asnjë emër që të ketë shkruar në media ndonjë artikull në 5 vitet e fundit, përveç atyre që ftohen për të folur si ekspertë të gjithçkaje në çdo ekran. Ndoshta ky është qëllimi i ekspertizës së këtij grupi pune: të hartojë një ligj si pararendësit që kanë përfunduar në koshin e Parlamentit. Thjesht për të treguar se është bërë një punë e mirë, e më pas votat e shumicës e rrëzojnë punën e ekspertëve. Ose ndoshta për të gjetur një konsensus të nxituar, meqë kërkohet për arsye integrimi.
Në nisma të tilla të rëndësishme, transparenca duhet të jetë një faktor kryesor, meqë bëhet fjalë për media dhe jo për një shfaqje ku takat dhe fotot, bashkë me njoftimet e shpërndara, nuk janë më lajme, por propagandë – nga ajo që nuk duhet të shërbejë si “ushqim” për gazetarët. Njësoj si tryezat dhe OJF-të me fondet e majme që nuk kanë prodhuar kurrë gazetari të mirëfilltë, edhe ligjet e mediave nuk prodhojnë gazetarë, por rregulla që më shumë sesa zbatohen nga gazetarët, lexohen nga politikanë që ende nuk e kanë kuptuar vijën ndarëse mes propagandës dhe lirisë së medias.


