Presidentja e Komisionit të Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur bisedimet e zhvilluara mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës, duke i cilësuar ato si një zhvillim pozitiv që mund të hapë rrugën për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Ajo theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, ndërkohë që theksoi se topi tani është në fushën e Rusisë.
“Ne mirëpresim lajmet e fundit nga Jeddah, lidhur me bisedimet mes SHBA-së dhe Ukrainës, që përfshijnë propozimin për një armëpushim dhe rifillimin e shkëmbimit të informacionit inteligjent, si dhe ndihmën e SHBA-së për sigurinë. Ky është një zhvillim pozitiv që mund të shërbejë si një hap për paqen”, tha von der Leyen. Ajo shtoi gjithashtu se Bashkimi Europian është i gatshëm të luajë rolin e tij në negociatat e ardhshme të paqes, së bashku me partnerët e tij.
Këtë qëndrim e ka mbështetur edhe António Costa, Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, i cili theksoi se BE-ja është e përkushtuar të kontribuoni në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për konfliktin, duke bërë të qartë se përkushtimi i BE-së për paqe mbetet i palëkundur.
Nga ana e tij, Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, u shpreh se Ukraina ka treguar përsëri gatishmërinë e saj për të kërkuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, duke shtuar se Rusia duhet të reagojë ndaj këtyre zhvillimeve. Ai theksoi se ky është një moment kyç për të avancuar në procesin e paqes dhe për të siguruar një fund të arsyeshëm për konfliktin.
Ndërkohë, Presidenti francez Emmanuel Macron, në përkrahje të bisedimeve për armëpushimin 30-ditor të ndërmarrë mes SHBA-së dhe Ukrainës në Arabinë Saudite, theksoi se topi tani është në duar të Rusisë. “Franca dhe partnerët tanë mbeten të angazhuar për një paqe të fortë dhe të qëndrueshme, e cila do të mbështetet nga garanci të forta sigurie për Ukrainën”, shkruajti Macron në një postim në rrjetin social X.
Liderët evropianë janë të bashkuar në thirrjen e tyre për një përfundim të drejtë të luftës dhe për një angazhim të plotë të Rusisë në negociatat që do të çonin në një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.