Vetëm Lezha ofron 24 orë ujë në ditë, ndërsa disa bashki të tjera nuk arrijnë as gjysmën e objektivit kombëtar për furnizimin e pandërprerë
Sipas të dhënave më të fundit të Entit Rregullator të Ujit (ERRU), panorama e furnizimit me ujë të pijshëm në Shqipëri mbetet e pabarabartë. Vetëm Lezha ka arritur të sigurojë furnizim 24 orë në ditë gjatë vitit 2024, ndërsa pjesa tjetër e vendit mbetet larg objektivit prej 18 orësh në ditë, të cilin ERRU e konsideron si nivel të mirë të performancës. Mesatarja kombëtare ishte 17.44 orë/ditë, duke shënuar një rritje prej 1.14 orësh krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit të kaluar, 14 shoqëri rajonale ujësjellës-kanalizime (UK) dhe 3 shoqëri ekzistuese – UK Tiranë, UK Kamëz dhe UK Vorë – operuan në të gjithë vendin. Riorganizimi i shoqërive, në zbatim të vendimit të qeverisë të vitit 2022, solli ndryshime në treguesit e performancës, ku disa rajone panë përmirësime të ndjeshme, ndërsa të tjera mbetën prapa.
Shembulli më pozitiv vjen nga SHRUK Lezhë, që falë vënies në punë të ujësjellësit të ri për zonën e Laçit, arriti një rritje prej 5.8 orësh në ditë, duke siguruar furnizim të pandërprerë për konsumatorët. Rritje të konsiderueshme patën edhe SHRUK Sarandë me +11 orë/ditë dhe SHRUK Dibër me +10 orë/ditë, pas përfundimit të investimeve të reja në rrjet.
Nga 17 shoqëri të monitoruara, 10 prej tyre arritën ose e tejkaluan objektivin prej 18 orësh në ditë, ndërsa 7 mbetën poshtë këtij niveli, pa shënuar ndonjë përmirësim krahasuar me vitin 2022 apo 2023. Në anën tjetër, SHRUK Vlorë shënoi rënie të lehtë të furnizimit, me -0.45 orë/ditë.
Situata më problematike u regjistrua në UK Vorë, ku furnizimi arrin vetëm në 8 orë në ditë, dhe në UK Kamëz me vetëm 4 orë, shifra që ERRU i cilëson si “në kufirin e performancës së dobët” dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për përmirësim.
Lista e qyteteve që performojnë mirë përfshin SHRUK Korçë me 23.7 orë/ditë, SHRUK Pogradec me 22.5, SHRUK Dibër dhe Gjirokastër me 22 orë, SHRUK Berat me 22.11, SHRUK Shkodër me 21.55, SHRUK Sarandë me 21 orë, SHRUK Fier dhe Elbasan me nga 18 orë furnizim. Këto rezultate tregojnë se investimet dhe mirëmenaxhimi i rrjetit sjellin rezultate të prekshme.
ERRU thekson se pavarësisht disa përmirësimeve, objektivi kombëtar prej 18 orësh furnizim me ujë të pijshëm në ditë nuk është arritur ende në nivel sektori, duke lënë një pjesë të madhe të popullsisë së vendit nën standardin e dëshiruar.