Një 31-vjeçar është arrestuar në Tiranë nga Policia e Shtetit, pasi u kap duke lëvizur i armatosur pa leje, gjatë një operacioni policor të koduar “Pasagjeri”.
Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Zhan D’ark”, ku shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, ndaluan një automjet tip “Audi”. Në mjet ndodhej si drejtues shtetasi S. Z., 51 vjeç, ndërsa pasagjer ishte shtetasi K. S., 31 vjeç.
Gjatë kontrollit, 31-vjeçarit iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion, të cilën e posedonte pa leje. Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.