Të gjithë drejtuesve vendorë në Fier, nga drejtoritë rajonale te spitalet dhe institucionet arsimore, u është kërkuar të dorëhiqen menjëherë
Në një zhvillim të papritur që pritet të sjellë tronditje në administratën lokale të Fierit, të gjithë drejtuesve të drejtorive rajonale, përfshirë dy nënkryetarët e bashkisë dhe shefat e departamenteve të saj, u është kërkuar dorëheqja.
Burime të besueshme nga brenda mbledhjes me Kryeministrin kanë konfirmuar se vala e largimeve nuk do të përjashtojë askënd. Vendimi synon një riformatim të thellë të strukturave vendore dhe do të prekë çdo sektor strategjik të administratës në Fier.
Ndër institucionet që pritet të përfshihen në këtë spastrim janë sektori i bujqësisë, drejtoria e arsimit, zyra e punës, si dhe drejtoria e shërbimit të transportit rrugor. Gjithashtu, dy spitalet e qytetit dhe fondi i kujdesit shëndetësor janë pjesë e listës së institucioneve ku priten ndryshime të menjëhershme.
Ky vendim vjen në një kohë kur qeveria ka intensifikuar kontrollet dhe presionin për performancë të lartë në nivel lokal. Dorëheqjet e kërkuara shihen si një hap drejt riorganizimit të administratës për të rritur eficiencën dhe transparencën.
Reagimet e para nga zyrtarët lokalë janë të përmbajtura, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë edhe deklarata publike apo rezistencë të mundshme ndaj këtij vendimi të paprecedent.
Qeveria deri tani nuk ka publikuar një listë zyrtare të emrave, por sinjalet janë të qarta: pritet një valë e gjerë ndryshimesh në të gjithë nivelin vendor të Fierit.