Letërsia në qendër të Roskovecit, në festivalin Stephanophana

Në Roskovec u zhvillua një festival letrar i veçantë, nën kujdesin e Bashkisë dhe kryetares Majlinda Bufi, me pjesëmarrjen e autorëve dhe gazetares Monika Stafa.

Në qytetin e Roskovecit u mbajt një aktivitet kulturor që riktheu në qendër të vëmendjes fuqinë e fjalës së shkruar. Festivali letrar u organizua me iniciativën e Liridon Mulajt dhe nën kujdesin e kryetares së Bashkisë, znj. Majlinda Bufi.

Eventi mblodhi shkrimtarë, lexues dhe dashamirës të letërsisë si Ben Andoni, Rita Petro, e Alda Bardhyli, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë ku arti i fjalës u bë urë komunikimi mes brezave.

E pranishme në këtë festival ishte edhe gazetarja e njohur Monika Stafa, e cila ndau mendime për rolin që ka letërsia në shoqëri dhe ndikimin e saj në zhvillimin kulturor.

Diskutimet u përqendruan te rëndësia e librit dhe fjala e lirë, si mjete të domosdoshme për edukim, reflektim dhe forcimin e identitetit kulturor.

Të ftuarit ndanë përvoja personale dhe rrëfime që lidhen me procesin krijues, duke e bërë takimin jo vetëm një festival arti, por edhe një hapësirë dialogu.

Organizatorët theksuan se synimi i tyre është që kjo nismë të kthehet në një traditë të përvitshme, duke e vendosur Roskovecin në hartën e aktiviteteve letrare të vendit.

Ky festival, përveçse nderoi autorët dhe letërsinë, dha një mesazh të qartë se kultura mbetet një shtyllë e fortë për bashkimin e komunitetit dhe ruajtjen e vlerave kombëtare.

Ndaj Postimin: